Publikimet/Hulumtimet
KËNAQSHMËRIA DHE EKSPERIENCAT E PACIENTËVE ME SHËRBIMET SHËNDETËSORE NË MJEKËSINË FAMILJARE MITROVICË, 2024
Në studimet mbi cilësinë e kujdesit shëndetësor, eksperienca dhe kënaqshmëria e pacientëve shpesh merren si sinonime, por ato kanë një dallim të rëndësishëm.
Eksperienca përfaqëson perceptimin e pacientit për kujdesin e marrë, ndërsa kënaqshmëria lidhet me pritjet e tij për atë kujdes. Në këtë kontekst, një pacient mund të jetë më i kënaqur ose më pak i kënaqur se një tjetër edhe nëse të dy kanë marrë të njëjtin nivel të kujdesit shëndetësor, për shkak të ndryshimeve në pritjet e tyre personale.
Ky studim përfshin analizën e eksperiencave dhe kënaqshmërisë së pacientëve në Komunën e Mitrovicës, duke trajtuar të dy këta tregues për të nxjerrë një pasqyrë të plotë të kujdesit shëndetësor të ofruar. Hulumtimi përfshin një mostër të konsiderueshme të qytetarëve, të cilët kanë marrë shërbime në 12 muajt e fundit dhe shqyrton faktorët kryesorë që ndikojnë në përceptimin dhe kënaqshmërinë e tyre, si aspektet administrative, klinike dhe menaxheriale të kujdesit shëndetësor.
Rezultatet tregojnë se niveli i përgjithshëm i kënaqshmërisë është mbi mesatar, me variacione të rëndësishme të ndikimit nga faktorë të tillë si edukimi për shëndetin dhe njohuria mbi të drejtat e pacientit, qasja në shërbime, sjellja e stafit mjekësor, shërbimet diagnostike, higjiena, furnizimi me barna, referimi, aftësia për të përballuar shpenzimet dhe pritjet për kujdesin shëndetësor. Këto gjetje ndihmojnë në identifikimin e fushave për përmirësim dhe krijimin e strategjive për rritjen e cilësisë dhe kënaqshmërisë së pacientëve në institucionet shëndetësore të Mitrovicës.
Files: