Përfaqësuesit e PRAK u pritën nga Presidentja Osmani

Zhvillimet ndërkombëtare, sfidat në shëndetësi dhe rëndësia e bashkëpunimit institucional në qendër të takimit

Prishtinë, 4 Korrik 2025

Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë – PRAK u prit të premten në një takim zyrtar nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Sh.S.Znj. Vjosa Osmani-Sadriu. Në këtë takim u diskutuan zhvillimet e fundit në përfaqësimin ndërkombëtar të pacientëve nga Kosova, sfidat e vazhdueshme të sistemit shëndetësor dhe nevoja për reforma afatgjata dhe gjithëpërfshirëse.

Takimin e hapi z. Muhamedali Kodra, Anëtar i Bordit të PRAK, i cili falënderoi Presidenten për gatishmërinë për të dëgjuar zërin e pacientëve si përfituesit kryesorë të shërbimeve shëndetësore. Ai theksoi se ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një dialogu të strukturuar për të drejtat e pacientëve dhe përmirësimin e sistemit shëndetësor.

Drejtori Ekzekutiv i PRAK, z. Agron Bytyqi, prezantoi para Presidentes dy arritje të rëndësishme të organizatës në nivel ndërkombëtar:

  • Anëtarësimin në Forumin Evropian të Pacientëve (EPF), që përfaqëson mbi 75 milionë pacientë në Evropë;
  • Zgjedhjen e PRAK në Bordin Drejtues të Aleancës Botërore të Shoqatave të Pacientëve (IAPO), një rrjet global që përfshin përfaqësues nga mbi 70 vende të botës.

Z. Bytyqi theksoi se këto suksese e bëjnë PRAK një zë të fuqishëm të pacientëve kosovarë në proceset ndërkombëtare vendimmarrëse dhe kërkoi mbështetjen e institucioneve të Kosovës për të siguruar përfaqësim të qëndrueshëm e efektiv të interesave të pacientëve.

Drejtori i Programeve në PRAK, z. Besim Kodra, shtroi rëndësinë e një reforme të thellë sistemore dhe bashkëpunimit të të gjithë akterëve në sistemin shëndetësor, për ta orientuar Kosovën drejt një sistemi të avancuar dhe të qëndrueshëm. Ndërsa znj. Nafije Latifi, Anëtare e Bordit të PRAK, theksoi nevojën urgjente për krijimin e një Qendre Kombëtare për Kujdesin Paliativ, duke e cilësuar këtë si një domosdoshmëri humane dhe institucionale për pacientët me sëmundje të avancuara.

Presidentja Vjosa Osmani shprehu mirënjohjen për punën dhe angazhimin e PRAK në mbrojtjen e të drejtave të pacientëve. Ajo theksoi se është e domosdoshme të rritet vetëdija publike për këto të drejta dhe të përmirësohet qasja në shërbime cilësore, transparente dhe të barabarta për të gjithë qytetarët. Presidentja ritheksoi përkushtimin e saj për një sistem shëndetësor që vendos pacientin në qendër dhe që garanton trajtim dinjitoz për të gjithë, pa dallim.

Takimi u përmbyll me dakordim për vazhdimin e bashkëpunimit të ndërsjellë mes Presidencës dhe PRAK, në funksion të përmirësimit të mëtejshëm të sistemit shëndetësor në Kosovë dhe forcimit të zërit të pacientëve brenda dhe jashtë vendit.