Lajmet e Fundit
Grupi Fokus në Kosovë evidenton sfidat dhe zgjidhjet në kujdesin shëndetësor për migrantët

Shoqata për të Drejtat e Pacientëve në Kosovë – PRAK, në bashkëpunim me Institutin për Zhvillim dhe Iniciativa Qytetare – IZHIQ, organizuan në Magurë të Prishtinës grupin e dytë fokus në kuadër të projektit “Ta bëjmë jetesën më të lehtë për emigrantët nga Shqipëria dhe Kosova”.
Ky aktivitet mblodhi migrantë që jetojnë në Kosovë për të ndarë përvojat e tyre lidhur me qasjen në kujdesin shëndetësor. U theksua se ndërhyrjet urgjente janë përgjithësisht të qasshme dhe të shpejta, megjithatë gjuha mbetet një pengesë serioze, duke vështirësuar komunikimin ndërmjet pacientëve dhe ofruesve të shërbimeve shëndetësore.
Refugjatët dhe azilkërkuesit vunë në pah rolin thelbësor që organizatat joqeveritare kanë luajtur përmes ndërmjetësimit gjuhësor, informimit për të drejtat e tyre dhe lehtësimit të qasjes në shërbime.
Ky takim shënon fillimin e një serie diskutimesh që synojnë të krijojnë zgjidhje praktike në nivel lokal, të avokojnë për mbrojtje më të mirë shëndetësore dhe të sigurojnë që të drejtat e migrantëve të respektohen.
Ky aktivitet është pjesë e projektit më të gjerë “Ta bëjmë jetesën më të lehtë për emigrantët nga Shqipëria dhe Kosova”, i mbështetur nga Bashkimi Evropian përmes iniciativës FOSTER – Përfshirja e të huajve në Ballkanin Perëndimor – Qasje në të drejta sociale dhe ekonomike.