Çfarë na treguan pacientët për barnat?

Shoqata për të Drejtat e Pacientëve në Kosovë – PRAK mori pjesë aktive në Konferencën Ndërkombëtare “Përdorimi Racional i Barnave”, e organizuar nga Oda e Farmacistëve të Kosovës, me pjesëmarrjen e mbi 1000 profesionistëve shëndetësorë nga vendi dhe rajoni.

PRAK realizoi dy prezantime në këtë konferencë – një mbi kënaqshmërinë dhe përvojat e pacientëve në kujdesin parësor, dhe një tjetër mbi përvojat në kujdesin dytësor shëndetësorë.

Të dy prezantimet u fokusuan veçanërisht në:

- përshkrimin e barnave,

- furnizimin dhe qasjen në barna,

- koston e barnave që pacientët janë obliguar t'i blejnë në sektorin privat, dhe

- vështirësitë ekonomike të pacientëve për t’i përballuar ato.

U theksua se për një pjesë të konsiderueshme të pacientëve në Kosovë, blerja e barnave përbën një barrë të rëndë financiare, duke ndikuar drejtpërdrejt në vazhdimësinë e trajtimit dhe në rezultatet shëndetësore.

PRAK do të vazhdojë të avokojë për politika shëndetësore që garantojnë qasje të barabartë dhe të përballueshme në barna, si dhe për përfshirjen e zërit të pacientëve në të gjitha proceset që ndikojnë në mirëqenien e tyre.