Lajmet e Fundit
Bashkëpunimi mes PRAK dhe Universitetit të Gjakovës forcon kulturën e respektit ndaj pacientit

Më 28 maj 2025, Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë – PRAK mbajti një ligjëratë tematike në Universitetin e Gjakovës “Fehmi Agani”, me studentët e Fakultetit të Shkencave Mjekësore.
Kjo ligjëratë synoi të rrisë ndërgjegjësimin mbi të drejtat e pacientëve, rëndësinë e etikës profesionale dhe përgjegjësinë e profesionistëve shëndetësorë në krijimin e një sistemi shëndetësor të bazuar në dinjitetin dhe të drejtat e njeriut. Studentët patën mundësinë të përfshihen në diskutime të hapura dhe të analizojnë raste konkrete që pasqyrojnë sfidat dhe rëndësinë e qasjes me empati ndaj pacientëve.
PRAK beson se fuqizimi i brezave të rinj përmes edukimit është themel për një shëndetësi më të drejtë, gjithëpërfshirëse dhe me cilësi më të lartë. Në këtë drejtim, organizata do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet akademike në Kosovë për të promovuar një kulturë të kujdesit shëndetësor të mbështetur në vlera humane dhe respekt ndaj pacientit.
Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë falënderon Universitetin e Gjakovës dhe z. Muhamet Kadrija për bashkëpunimin dhe mikpritjen e treguar gjatë këtij aktiviteti.