Grupi i Fokusit në Kosovë Evidenton Sfidat dhe Zgjidhjet Shëndetësore për Migrantët

PRAK dhe IZHIQ organizojnë diskutimin e parë për përmirësimin e qasjes në shërbime shëndetësore për emigrantët nga Shqipëria dhe Kosova

Shoqata për të Drejtat e Pacientëve në Kosovë – PRAK, në bashkëpunim me Institutin për Zhvillim dhe Iniciativa Qytetare (IZHIQ), organizoi grupin e parë të fokusit në kuadër të projektit “Lehtësojmë Jetesën për Emigrantët nga Shqipëria dhe Kosova.”

Në këtë diskutim morën pjesë 18 migrantë, përfshirë refugjatë dhe punëtorë migrantë që jetojnë në Kosovë.

Pengesat gjuhësore, sfidë e vazhdueshme në sistemin shëndetësor

Pjesëmarrësit ndanë përvojat e tyre në marrjen e ndihmës mjekësore emergjente, duke theksuar se komunikimi me personelin shëndetësor shpesh bëhet i vështirë për shkak të barrierave gjuhësore, edhe kur kujdesi mjekësor është adekuat dhe në kohë.

Shoqëria civile – mbështetëse kyçe për migrantët

Refugjatët dhe azilkërkuesit theksuan rëndësinë e organizatave të shoqërisë civile në ofrimin e ndihmës për të kuptuar të drejtat shëndetësore, për të përballuar sfidat gjuhësore dhe për të pasur qasje në shërbime bazike.

Ky aktivitet është një hap konkret drejt hartimit të zgjidhjeve praktike dhe lokale për qasjen më të mirë në kujdesin shëndetësor për migrantët.

Projekti është i mbështetur nga Bashkimi Evropian, përmes nismës FOSTER – Përfshirja e të Huajve në Ballkanin Perëndimor: Qasje në të Drejtat Sociale dhe Ekonomike.