Lajmet e Fundit
Lajm shumë i mirë për pacientët në Kosovë!

Shoqata për të Drejtat e Pacientëve në Kosovë – PRAK është pranuar me vota unanime si anëtare e Forumit Evropian të Pacientëve (EPF), rrjeti më i madh dhe më i rëndësishëm i organizatave të pacientëve në Evropë.
Për herë të parë, një organizatë nga Kosova bëhet pjesë e këtij forumi prestigjioz që përfaqëson mbi 150 milionë pacientë nëpërmjet më shumë se 80 organizatave anëtare nga e gjithë Evropa.
Ky është një moment historik për mbrojtjen e të drejtave të pacientëve në vendin tonë dhe një hap i rëndësishëm drejt integrimit në politikat shëndetësore evropiane.
Ky anëtarësim është njohje për përpjekjet tona të deritanishme dhe përgjegjësi për të kontribuar më shumë, më fort dhe më gjerë në fuqizimin e zërit të pacientëve.
Falënderojmë të gjithë partnerët, anëtarët dhe qytetarët që besojnë në misionin tonë. Rruga është e gjatë, por bashkë jemi më të fuqishëm.
PRAK tani flet edhe me zë evropian.