Dita Evropiane për të Drejtat e Pacientëve, 18 Prill 2025

Tryezë diskutimi: “Edukimi shëndetësor në shkolla si pjesë e kujdesit të integruar shëndetësor”

Me rastin e Ditës Evropiane për të Drejtat e Pacientëve, Shoqata për të Drejtat e Pacientëve në Kosovë – PRAK organizoi një tryezë diskutimi, me fokus të veçantë te roli i edukimit shëndetësor në shkolla si komponentë thelbësore e sistemit të integruar shëndetësor.

Në hapje të ngjarjes u theksua se pacienti nuk duhet trajtuar si një objekt pasiv i sistemit shëndetësor, por si qendra e tij. Edukimi shëndetësor në shkolla u identifikua si një ndër mjetet më të fuqishme për të parandaluar sëmundjet dhe për të përgatitur qytetarë të vetëdijshëm për shëndetin e tyre fizik dhe mendor.

Znj. Merita Vuthaj nga Ministria e Shëndetësisë prezantoi planet për ndërhyrje të hershme në edukim, ndërsa znj. Fatmire Kollçaku, deputete në Kuvendin e Kosovës, theksoi rëndësinë që fëmijët të edukohen për një stil të shëndetshëm jetese dhe kujdesin për shëndetin mendor.

Drejtoresha e IKSHPK-së, znj. Ardita Baraku, foli për përpjekjet aktuale për përfshirjen e edukimit shëndetësor në sistemin arsimor dhe bashkëpunimin me Ministrinë e Arsimit. Përfaqësuesja e UNFPA-së, znj. Visare Mujko Nimani, theksoi rëndësinë e edukimit seksual dhe riprodhues. Znj. Donjeta Kelmendi nga KOMF nënvizoi ndikimin që mungesa e edukimit shëndetësor ka në dukuritë sociale te fëmijët dhe të rinjtë.

Drejtori Ekzekutiv i PRAK, z. Agron Bytyqi, ndau praktika të mira nga vende që tashmë kanë integruar edukimin shëndetësor në kurrikulat shkollore, duke theksuar nevojën që edhe Kosova të ndjekë këtë model.

Si përmbyllje, pjesëmarrësit propozuan hartimin e një Plani Nacional për Edukimin Shëndetësor në shkolla, si një hap konkret për ndërtimin e një sistemi më të drejtë dhe të qëndrueshëm shëndetësor në Kosovë.