Nga Zëri i Qytetarëve në Politika Publike: Pjesëmarrja Sociale në Shëndetësi

Shoqata PRAK beson fuqishëm se një sistem shëndetësor i drejtë dhe efektiv mund të ndërtohet vetëm përmes përfshirjes së drejtpërdrejtë të qytetarëve. Demokracia në shëndetësi fillon atëherë kur qytetarët nuk janë vetëm përfitues të shërbimeve, por bëhen bashkëhartues të tyre.

Këtë mesazh e ndamë më 5 prill në Tiranë, në tryezën rajonale “Transformimi i Kujdesit ndaj Kancerit: Investime dhe Bashkëpunim Rajonal”, të organizuar nga Europa Donna Albania.

Gjatë kësaj ngjarjeje, PRAK pati kënaqësinë të prezantojë një nga praktikat më konkrete të pjesëmarrjes qytetare në shëndetësi në Kosovë – Këshillat e Pacientëve.

Çfarë është pjesëmarrja shoqërore në shëndetësi?
Pjesëmarrja shoqërore nënkupton angazhimin aktiv të pacientëve, organizatave të tyre dhe komunitetit në hartimin, zbatimin dhe vlerësimin e politikave shëndetësore. Është një qasje që forcon sistemin shëndetësor përmes përfshirjes së drejtpërdrejtë të atyre që preken më shumë nga këto politika – qytetarët.

Çfarë prezantuam për Këshillat e Pacientëve?
Treguam se Këshillat e Pacientëve janë mekanizma të fuqishëm që krijojnë ura ndërmjet pacientëve dhe institucioneve shëndetësore. Përmes tyre, qytetarët kanë mundësinë të ndikojnë në vendimmarrjen lokale, të artikulojnë nevojat dhe sfidat e tyre dhe të kontribuojnë në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore.

Përvoja e prezantuar nga Kosova në këtë konferencë shërben si model i aplikueshëm për vendet tjera të rajonit, për të ndërtuar sisteme më gjithëpërfshirëse, më transparente dhe më të ndjeshme ndaj qytetarëve.