PRAK Letër Kryeministrit: 5 vite nga hyrja në fuqi e Ligjit për Sigurime Shëndetësore – PRAK

Letër Kryeministrit: 5 vite nga hyrja në fuqi e Ligjit për Sigurime Shëndetësore

I nderuar kryeministër i Republikës së Kosovës z. Ramush Haradinaj,

Sot me datë 10.04.2019 u bënë 5 vite nga hyrja në fuqi e Ligjit për Sigurimet Shëndetësore. Miratimi i këtij ligji, ishte një shpresë për qytetarët e vendit, që pos sëmundjeve që ju kanosen, të mos kenë edhe hallin e sigurimit të mjeteve financiare për trajtimin e këtyre sëmundjeve.

Por, fatkeqësisht qeveritë para jush dështuan në implementimin e këtij ligji, gjë që përbën një shkelje kolektive të të drejtave elementare të njeriut. Veq kësaj, mos implementimi i këtij ligji, ka bërë që reforma në shëndetësi të bllokohet, për më keq të ketë një regres prapa. Kjo nënkupton rrënimin e Sistemit të Integruar të Informimit Shëndetësor.

I nderuar Kryeministër, me këtë trend të përgatitjeve për implementimin e Ligjit të Sigurimeve Shëndetësore, edhe qeveria e juaj nuk do të arrij ta implementoj. Kësisoj, qytetarët e Kosovës do të mbesin edhe gjatë qeverisë tuaj nën mëshirën e portaleve duke kërkuar ndihmë për trajtimin e sëmundjeve.

Arsye kryesore që ne mendojmë pse nuk po implementohet ky ligj, mendojmë se ka qenë dhe mbetet mungesa e vullnetit që qeverive të deritanishme, duke përfshirë edhe këtë aktuale.

Prandaj, i nderuar kryeministër, ju lusim që ta vendosni në top prioritetet e juaja Sigurimin Shëndetësor të qytetarëve, pasi që konsiderojmë edhe qytetarët sigurinë shëndetësore e kanë para agjendave evropiane, të dialogut të kufijëve etj …

Duke e ditur se:

Sigurimet shëndetësore janë një e drejtë themelore e qytetarëve;
Për implementimin e tyre duhet angazhim i madh multidimensional dhe ndërministror;
Sigurimet janë e vetmja rrugë që mundëson rimëkëmbjen e sistemit shëndetësor;

Ne si organizatë e pacientëve kërkojmë nga Qeveria:

Shëndetësinë në përgjithësi dhe Sigurimet Shëndetësore në veçanti, t’i vë në prioritet të programit qeverisës; – Të gjithë resorët qeveritarë janë të rëndësishëm për jetën e qytetarëve por pa shëndet, të gjitha e humbin kuptimin.

Të angazhojë të gjitha dikasteret përkatëse qeveritare për përshpejtimin e përgatitjeve të këtij procesi;- Sigurimet shëndetësore janë çështje ndërsektoriale (madje nacionale) dhe si të tilla, një ministri e vetme, vështirë mund t’i shtyjë proceset përpara.

Të ketë një plan të qartë të implementimit të skemës së sigurimeve shëndetësore, me të cilin do të jetë i informuar edhe publiku; – Një paqartësi dhe jotransparencë e këtillë ndaj publikut, mund t’i deformojë pritjet e qytetarëve dhe të sjell pasoja serioze për suksesin e implementimit të sigurimeve.

Të fillohet me blerje të shërbimeve, jo me mbledhje të premiumeve. Prekja e fryteve të përfitimit, do ta rriste besueshmërinë në sigurime gjë që është jetike për të ardhmen e Fondit. Në të kundërtën, në një nivel të ulët të besueshmërisë, të fillohet me mbledhje të premiumeve, kjo do të konsiderohet si një taksë shtesë dhe asgjë më shumë, gjë që pasojat do të jenë të rënda për Fondin.

Jemi të vetëdijshëm që Ju keni edhe shumë obligime të tjera shtetërore. Por, këto kërkesa, nuk janë kërkesa se ne i duam. Këto janë nevoja të domosdoshme që sistemi shëndetësor të marr një kahe të mbarë. Në të kundërtën, një vend që të zhytë në varfëri vetëm se t’i kërkon shërim aty, ai vend bëhet i pajetueshëm”.

Duke shpresuar se Sigurimet Shëndetësore do ta fitojnë vëmendjen tuaj, ne ju përshëndesim!

Me respekt,
PRAK Kosova
+383 49 946 201

Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë
Patients` Right`s Association in Kosovo
www.prak-kosova.org
fb: @PRAK Kosova
rr.11Marsi Lam 3B nr.2, Prizren-Kosovë